Kur prifti hyri në fshat pas tri ditësh, pleqësia e priste e mbledhur. Kolera islame ju hyri në shtëpi, i tha burrave të fshatit pa i përshëndetur. Në qoftë se nuk e izoloni, do t’ju përpijë të gjithëve një nga një. Lajmi se një nga burrat ishte bërë mysliman e tronditi fshatin. Gratë ndezën qirinj që nuk u shuan për shtatë
ditë me radhë. Burrat, të cilët ndiheshin më fajtorë për tradhtinë e një anëtari të gjinisë së tyre, e mbytën hidhërimin e ditëve të para me raki. Dikush betohej se, nëse pleqësia e lejonte, ai do shkonte natën dhe do ta vriste Ibrahimin. Një tjetër tha që shtëpia e myslimanit të rrethohej me një kanal të lartë dhe kështu ai do jetonte në një ishull të pakalueshëm brenda fshatit. Të thërrasim priftin, propozoi një tjetër. Atij i takon të na thotë se çfarë duhet të bëjmë kur delet braktisin vathën e Zotit dhe shkojnë të ushqehen me dorën e turkut. Kur prifti, që u bënte mesha një herë në katër të diela, erdhi nga qyteti, i lodhur dhe i pluhurosur, shumicën e burrave e gjeti të pirë. Ata filluan të flisnin të gjithë njëherësh dhe në atë rrëmujë priftit iu desh të ndërhynte disa herë për të shuar zënkat mes tyre. E tregonin në mënyra të ndryshme historinë e Ibrahimit, pastaj kundërshtonin versionet e njëri-tjetrit, bërtisnin, akuzonin shoku-shokun dhe pastaj priftin se indiferenca e tij ndaj fshatit do t’i joshte njerëzit avash-avash drejt fesë tjetër. Pushoni kaurë të dehur, bërtiti prifti që kishte humbur durimin. Një ditë kjo do të ndodhte e ju nuk mund të bënit përjashtim. Islami është një kolerë që ka një mijë vjet që përhapet me majën e shpatës. Miliona njerëz në Lindje jetojnë nën këtë epidemi, por duke qenë të gjithë njëlloj të sëmurë nuk kuptojnë se nga se vuajnë dhe as nuk përpiqen ta shërojnë veten. Fshati juaj është një pikë uji në oqeanet e feve të mëdha. Zoti përcaktoi kufijtë mes këtyre oqeaneve dhe ky kufi ishte Kostandinopoja. Myslimanët e shkelën kufirin që Zoti kishte vendosur mes territoreve fetare kur pushtuan këtë qytet grek aty ku takohen oqeanet. Qysh nga ajo ditë ujërat e papastra të Islamit derdhen në oqeanin tonë dhe sot ato ndotën dhe fshatin tuaj. Kur linda unë, vetëm një në dhjetë shqiptarë ishte mysliman. Tani që jam në mes të jetës, myslimanët bëjnë tre shqiptarë në dhjetë. Shpresoj që kur të vdes të mos e kenë kaluar gjysmën e dhjetës. Prifti ndaloi dhe mori frymë thellë. Burrat dukeshin më të vegjël nën mjegullën e duhanit që pinin pa pushim. Ju e dini se çfarë i tha Jezu Krishti Pjetrit natën e fundit, vazhdoi ai. Kur gjeli të këndojë tri herë do më kesh mohuar tri herë. Edhe unë shoh mohues midis jush. Shumë shpejt në këtë fshat do ketë myslimanë të tjerë dhe unë dua të kuptoj pse. Pse, o shqiptarë, e keni kaq të lehtë të mohoni fenë e parë? Mohoni për para, apo mohoni nga frika? Mohoni nga padija, apo mohoni nga varfëria? A e keni pyetur veten pse nuk keni pasur kurrë shtetin tuaj, pse nuk keni pasur kurrë shenjtorët tuaj, pse nuk keni akoma libra në gjuhën tuaj, pse nuk keni shkollat tuaja dhe pse nuk keni flamurin tuaj? Jua them unë pse. Sepse ju nuk e keni besuar Krishtin. Atë e keni pranuar si një nënshtrim ndaj perandorive që ju kanë qeverisur. E keni pranuar fenë si të ishte një taksë shpirtërore, së cilës mund t’i shmangesh me dredhi. Perandoritë, deri ditën kur ra Kostandinopoli, ishin të krishtera dhe ju ishit të krishterë. Tani perandoria juaj është myslimane dhe ju po mbani radhë në Islam. Ju bëheni me fenë e pushtuesit tuaj dhe prandaj nuk do keni kurrë shtetin tuaj sepse kur pushtuesit të ikin, ju do të bëheni me pushtuesin e ri. Burrat ishin lëshuar në stolat e tyre. Ligjërata e priftit i kishte bërë esëll. Mos na fyej, o grek, i tha dikush. Ne të kemi thirrur të na ndihmosh. Ti po na thua që të bëhemi grekë që të mos bëhemi myslimanë? Ishe shumë i hidhur hirësi, foli burri më i moshuar që ishte dhe kryetari i pleqësisë. Dhoma ra në qetësi. Zotrote na the se shqiptari nuk është një i krishterë i pastër dhe një ditë mëkati do ta çojë atë në Islam. Unë kam vendosur të jem edhe pak kohë në këtë botë. Gjithë jetën time i jam lutur Zotit që t’i jepte paqe dhe bukë fëmijëve të mi dhe fëmijëve të fëmijëve të mi dhe Zoti shpesh më është përgjigjur. Sa jam gjallë kam pasur bukë, por kurrë nuk kam pasur paqe. Bukën e kam fituar vetë, paqen ma kanë marrë një herë grekët dhe një herë turqit. Ne jemi të krishterë, grekët janë të krishterë dhe paqe nuk ka. Tani po vijnë turqit që thonë se bukën duhet ta sigurojmë vetë, ndërsa paqen do të na e sjellin ata. Turqit thonë se, nëse nuk e pranojmë paqen e tyre, do të na e marrin dhe bukën dhe tokën. E ata me paqe kuptojnë Islamin, apo jo? unë sa të vdes do mbetem i krishterë, siç kam lindur. Turqit thonë se toka është e perandorisë, ndërsa ju grekët thoni se feja jonë është feja juaj sepse ungjijtë janë shkruar në greqisht. Unë nuk do jem gjallë, por di që një ditë stërnipërit e mi do t’i kenë të dyja dhe askush nuk do mund t’ua marrë më, as fenë, as tokën dhe as gratë. Prandaj të kemi thirrur, të na thuash se ç’duhet të bëjmë që myslimani i fshatit tonë mos shumohet me vajzat tona dhe mos ushqehet me bukën tonë, megjithëse ti nuk beson se Krishti dhe shqiptari mund të jetojnë në të njëjtin trup, pa e tradhtuar njëri-tjetrin. Plaku pushoi nën vështrimin admirues të burrave të tjerë. Prifti u mendua një copë herë dhe foli. The atë që mendoj prej disa kohësh, i tha plakut. Shqiptari dhe Krishti nuk jetojnë dot bashkë përjetësisht. Shqiptari beson se është i varfër sepse Krishti nuk kujdeset për të siç kujdeset për grekët dhe prandaj ai e tradhton Krishtin sepse ndihet i tradhtuar. Koha do na e thotë se kush ka tradhtuar i pari ndër të dy dhe atë ditë ky gjykim do jetë ose një ngushëllim i madh, ose një pikëllim i madh për shumë myslimanë shqiptarë. Por sot ne kemi shumë pak fakte për të provuar çka po them. Tradhtia është në ditët e saj të para. Megjithatë, detyra ma do që unë të përpiqem që ajo që besoj të mos ndodhë. Prandaj kam ardhur. Në qytet ka shumë shqiptarë që janë bërë myslimanë. Ne vendosëm që t’i izolojmë dhe prandaj të krishterët nuk janë më gjitonë me myslimanët. Ata jetojnë në një lagje të veçantë, e cila po rritet përditë. Kanë çezmat dhe dyqanet e tyre. Të krishterët po ashtu. Takohen vetëm të dielave në ditën e pazarit. Fise të tëra janë ndarë sepse një vëlla është bërë mysliman dhe të tjerët kanë mbetur të krishterë. Martesat mes fëmijëve të dy feve nuk lejohen më. Ju thashë se kjo do të ndodhë edhe në fshatin tuaj sepse myslimani ka pas tij kadiun, asqerin, dervenxhiun dhe pashain. Sot, ata janë më të fortë. Por ju duhet të jeni më të zgjuar. Turqit kanë shpatën, por të krishterët kanë mendjen. Ky ballafaqim mes shpatës dhe mendjes do bëjë që ju të mbeteni shumicë në fshatin tuaj. Duhet ta izoloni Ibrahimin që të gjithë të kuptojnë se në këtë fshat nuk mund të jetosh dot si mysliman. Por edhe në qoftë se të tjerë do t’i bashkohen Islamit, shumë shpejt ata do kacafyten. Turqit janë si ujqit. Pasi shumohen vrasin njëri-tjetrin. Ju duhet ta ushqeni zjarrin që ata kanë në shpirt. Kjo është dredhia që duhet të përdorni. Do t’ju rrëfej një histori për fëlliqësitë e tyre, tha prifti. Përpara njëqind e tridhjetë vitesh, të parët e fesë myslimane në Stamboll dërguan një dervish për të përhapur islamin ndër shqiptarë. Pasi mori fermanin e Sulltanit, ky u nis për në Berat. Qëndroi një kohë aty, mësoi shqip dhe më pas u vendos në Tepelenë. Aty filloi të ndihmonte jetimët, sakatët dhe të varfrit. Shpërndante ushqim dhe ndihma që turqit ia dërgonin nga Stambolli për të joshur të krishterët. Shumë shpejt emri i Demir Hanit u përhap në të gjithë zonën dhe njerëzit filluan ta besojnë si të ishte shenjt. Madje, ndjekësit e tij, që ai i kishte kthyer në myslimanë, hapën fjalë se Demir Hani bënte mrekullira dhe kishte aftësi të shëronte njerëz, vetëm duke i prekur. Të sëmurë, të gjymtuar dhe gra gdhiheshin në radhë që Demir Hani t’i prekte me dorë dhe t’i nxirrte xhindet nga trupat e tyre, siç thoshte ai vetë. Dikur, një bajraktar mysliman, gruaja e të cilit nuk pillte, vendosi të dërgojë të shoqen te Demir Hani. Ajo ishte e re dhe shumë e bukur. Demiri e mbajti gruan një muaj dhe përditë mbyllej me të në dhomat e veta larg syve të dervishëve të tjerë. Pas një muaji, e dërgoi në shtëpi dhe i tha burrit të saj se e shoqja ishte shëruar. Burri i gëzuar ra me gruan e vet dhe pas nëntë muajsh lindi një djalë. E ëma dhe babai kishin qëlluar të dy të verdhë, të gjatë dhe me sy blu si gjithë malësorët shqiptarë, ndërsa djali doli i shkurtër dhe pis i zi. Fshati filloi të përqeshte bajraktarin. Gruaja u shastis, ndërsa burri e rrahu dhe e la pa bukë që t’i tregonte të vërtetën. Pas tri javësh pa bukë dhe pa ujë, e rrahur dhe e poshtëruar gruaja tregoi se kur ishte në Tepelenë Demir Hani e kishte detyruar të binte me të duke i thënë se ky është vullneti i Zotit dhe asgjë e keqe nuk do t’i ndodhte asaj. Bajraktari i çnderuar u nis në Tepelenë për të vrarë Demir Hanin. E rrethoi teqenë dhe i bëri thirrje të dilte jashtë që të merte ndëshkimin e merituar. Për dhjetë ditë Demir Hani rezistoi. Teqeja ishte e mbushur me ushqimet që ai ua shpërndante njerëzve. Një natë, Demir Hani e ftoi bajraktarin të takoheshin që t’i shpjegonte çfarë i kishte ndodhur gruas së tij. I përvëluar për të marrë vesh të vërtetën bajraktari u fut në teqe dhe aty Demir Hani e vrau me sëpatë. Viktima ishte njeri me influencë dhe gjithë tepelenasit filluan të flisnin kundër Demir Hanit. Po ashtu gra dhe vajza të tjera, e madje dhe djem të vegjël rrëfyen se kur ata shkonin për t’u shëruar, Demir Hani i prekte me dorë në vende të ndaluara dhe disa prej tyre i kish fëlliqur. Fjala shkoi deri në Stamboll dhe paria myslimane u ankua te Sulltani se Demir Hani po përdhoste Islamin me veprime, të cilat i trembnin shqiptarët që donin të bëheshin myslimanë. Për shkak të turpeve të Demir Hanit shumë myslimanë e braktisën Islamin. Fshati i bajraktarit u mblodh dhe më shumë se 50 burra myslimanë dogjën Kuranin dhe u betuan se kurrë më nuk do tradhtonin Jezu Krishtin. Pas disa kohësh, Sulltani dërgoi një ferman ku ngarkohej një nga dervishët e afërt të Demir Hanit që t’i priste atij kokën. Ky e zbatoi. Thonë se atë ditë Demir Hani vrapoi nëpër teqe deri në mbrëmje duke mbajtur kokën e tij në duar. Muaj më vonë edhe dervishit që vrau Demir Hanin iu pre koka po me urdhër të Sulltanit. U tha se ishte ky që kishte sajuar dhe shpifur gjithë ato histori të fëlliqura që t’i zinte vendin Demirit dhe t’i rrëmbente pasurinë që kishte fituar. Kur prifti pushoi, burrat dukeshin të lodhur. Kishin tri ditë pa gjumë dhe prifti akoma nuk po iu thoshte se ç’duhej të bënin me Ibrahimin. Gjatë tri ditëve që ata rrekeshin të gjenin një mënyrë për të përballuar bashkëjetesën me të, Ibrahimi vazhdonte jetën e tij qetësisht sikur asgjë të mos kishte ndryshuar. Çdo mëngjes herët ai shtronte një rrogoz në oborrin e shtëpisë, ulej në gjunjë dhe falej. Ata që e kishin parë këtë rit tregonin se myslimani falej pa zë. Lutja e tij ishte shumë e shkurtër. Më pas, Ibrahimi merrej me kafshët e veta. Ditën e dytë ai kishte shkuar të shihte vëllanë e tij, Vasilin. Ky, në mungesë të një vendimi të pleqësisë, i kishte hapur derën e shtëpisë dhe e kishte pritur. Vasili iu tha burrave të pleqësisë se Ibrahimi dukej i qetë dhe në humor. Qetësia e tij e kishte shpërqendruar Vasilin, i cili priste që i vëllai të shfajësohej për damkën që i kishte vënë familjes. Për një kohë të gjatë, të dy kishin biseduar për thatësirën e gjatë të atij gushti dhe për asgjë tjetër. Pastaj Ibrahimi e kishte pyetur se çfarë vendimi kishte marrë pleqësia. Vasili ishte bërë nervoz dhe i kishte thënë se shumë anëtarë të pleqësisë donin ta dëbonin nga fshati. Ibrahimi rinte përballë të vëllait dhe nuk fliste. I qetë dhe pa e ngritur zërin i tha: Ti je mbyllur në fshat dhe nuk di ku po shkon bota Vasil. Turqit janë sot fuqia më e madhe që ka parë njerëzia. Shumë shpejt dallga e Islamit do të mbysë fshatrat tona. Ata kanë para dhe asnjë ushtri nuk mund t’iu bëjë ballë. Në Janinë të gjithë e dinë se herët apo vonë turqit do të kenë gjithçka në dorë. Shqiptarët atje çdo ditë bëhen myslimanë. Për ne shqiptarët Islami është e vetmja rrugë për të na dalluar nga grekët. Turqit na kanë me sy të mirë dhe unë besoj se ata do të na e lënë ne në dorë këtë vend, për inat të grekëve. Por që kjo të ndodhë ne duhet të marrim fenë e tyre. Është e vetmja mundësi që ne të bëjmë prokopi dhe pas qindra vjetësh të qeverisim veten tonë dhe grekët. Ky fat nuk troket çdo ditë në derë. Asnjë shqiptar me mend në kokë nuk duhet ta humbë këtë mundësi. Vasili nuk fliste, por e shihte vëllanë si i ndërkryer. Koha do tregojë nëse kam pasur të drejtë, kishte vazhduar Ibrahimi. Ti je vëllai im e unë jam vëllai yt dhe feja nuk mund të na ndajë. Megjithatë, unë jam i vendosur të pranoj çdo vendim që do të marrë pleqësia, por nëse dikush prek familjen time, apo më kërkon të iki nga fshati, ta dini se unë do luftoj. Nuk mund ta shkulësh rrapin nga rrënjët pa gjakosur dorën. Ti mund të vish kur të duash në shtëpinë time dhe unë do të vij nëse më pranon. Kështu ishin ndarë dy vëllezërit. Kur Vasili ia tregoi priftit dhe pleqësisë së fshatit takimin me Ibrahimin, burrat u xhindosën dhe thanë se ata nuk mund të pranonin kërcënimet e një myslimani prandaj vendimi duhej marrë një orë e më parë. Vasili nuk fliste, por dukej se e vuante gjyqin që fshati po i bënte të vëllait. Mëkat, tha prifti, pasi dëgjoi shpjegimet e Ibrahimit. Më i zgjuari prej jush qenka bërë mysliman. Nuk do ta keni kollaj ta thyeni këtë njeri. Ç’duhet të bëjmë, e pyeti Vasili që rrinte në këmbë sikur priste një urdhër. Ky njeri nuk mund të mposhtë një fshat, foli prifti. Fuqia e tij qëndron te dobësia juaj. Ju e keni dashur dhe e keni respektuar prandaj sot jeni të përçarë dhe të pavendosur. Betejën e parë me ju sapo e ka fituar. Jam i bindur që ai fle tani i qetë me Zotin e tij të ri, ndërsa ju keni tri ditë që nuk dini çfarë të bëni për të mbrojtur Zotin tuaj. Fol, i thanë burrat priftit. Ç’të bëjmë? Si në një sallë gjyqi, prifti u çua në këmbë dhe ashtu bënë të gjithë burrat pas tij, përveç kryetarit të pleqësisë. Ibrahimi duhet të vuajë për fyerjen që i ka bërë fshatit, shpalli prifti. Atij as nuk do t’i shitet, as nuk do t’i falet grurë, kripë, bukë, miell, vaj dhe asgjë tjetër që hahet. Askush nuk do të prekë mish nga kafshët e Ibrahimit. Askush nuk do të çojë kafshët e veta për t’i shëruar tek Ibrahimi. Askush nuk do të martojë vajzat e veta me djemtë e Ibrahimit. Askush nuk do të ngrejë shtëpi pranë Ibrahimit. Gjitonët do t’i mbyllin dritaret që shohin nga shtëpia e tij. Rruga përpara shtëpisë së Ibrahimit nuk do të shkelet nga asnjë i krishterë. Atij do t’i mbyllet dera e shtëpisë së të krishterit, përveçse kur ka morte. Gratë e krishtera nuk do t’i japin dorën Ibrahimit. Burrat do ta qëllojnë Ibrahimin vetëm nëse ai do të hyjë në kishë apo në qoftë se ai sulmon një të krishterë. Nëse Ibrahimi vdes, ai nuk do të varroset bashkë me të krishterët. Vajzat e Ibrahimit, të krishterët do t’i respektojnë sepse ato janë viktima të tradhtisë së babait. Djemtë e tij do vuajnë ndëshkimin njëlloj si i ati i tyre. Ata zhvishen nga të drejtat për t’u zgjedhur në pleqësi dhe për të ndjekur meshat dhe shkollat e krishtera. Duke filluar nga sot, për dyzet ditë, asnjë i krishterë nuk do t’i thotë Ibrahimit mirëmëngjesi dhe natën e mirë dhe po ashtu askush nuk do t’i flasë gjatë kreshmës. Nuk ka urim për myslimanin. Kur prifti mbaroi, burrat u panë në sy. Ata prisnin ndëshkime më të rënda. Ishin përgatitur ta dëbonin dhe disa do ishin të gatshëm ta vrisnin myslimanin. Por i vëllai i Ibrahimit ishte aty dhe ata nuk folën për ndëshkime më të ashpra. Prifti e ndjeu se pleqësia mbeti e pakënaqur. Kur njëri prej tyre tha nëpër dhëmbë se kisha po toleronte Islamin, prifti i tha: Biri im, myslimanin po e vrave, të vret; po e le pa bukë, të vjedh; po nuk i fole, çmendet. Më mirë një i çmendur se një mysliman. Duke dalë, Vasili iu afrua priftit. Babai na la një tokë mua dhe vëllait. Ne e kemi punuar bashkë dhe familjet tona kanë ndarë të korrat përgjysmë. Si thua a duhet ta punoj tokën me Ibrahimin tani që ai është mysliman? Prifti ndaloi dhe u përgjigj: Babai juaj e kishte përfituar atë tokë si i krishterë. Ju e keni trashëguar si të bijtë e një të krishteri. Vëllai yt nuk është më i krishterë dhe ajo tokë është e jotja, sa kohë që ti nuk je mysliman.
Pagine
Djali qe pervidhej nga dritarja dhe me hynte ne shtrat - Kristy Moseley - pdf,
Djali qe pervidhej nga dritarja dhe me hynte ne shtrat kap 1 - Kristy Moseley - pdf, Djali qe pervidhej nga dritarja dhe me hynte ne shtrat ...