Ishte një ditë e nxehtë dhe njerëzve nuk u hahej mish. Pazari ishte zgjuar i pari dhe pas tij ishte zgjuar qyteti. Zakonisht, qyteti lodhej në pazar dhe çlodhej në kishë. Por ishte e diel dhe jo të gjithë punonin. Ishte një ditë pazari dhe jo të gjithë shkonin në kishë. Fshatarët kishin ditën e tyre të punës. Qytetarët kishin
ditën e kishës dhe të pazarit. Gratë dilnin nga mesha e mëngjesit, shkonin në pazar, ku i frynin trastat si gjinj, dhe pastaj ktheheshin në shtëpi. Kur ato vonoheshin pas gjërave të panevojshme, fëmijët i prisnin me gojë hapur. Burrat pinin duhan në hije dhe shikonin gratë. Kafshët rrinin në diell dhe, duke pritur të shiteshin, shikonin burrat. Ata që kishin vapë freskoheshin në liqen. Por qyteti ishte në mes të maleve dhe jo të gjithë dinin not. Deri kur u mbyll pazari ai nuk i shiti dot dy delet e tij. Mblodhi paratë që kishte fituar dhe u nis. Xhamia ishte në të dalë të qytetit. Në dimër ajo rrugë ishte e pushtuar nga balta, por atë ditë bënte zheg dhe toka digjte mbi kokë dhe nën këmbë. Dera e xhamisë ishte e mbyllur. Ai trokiti me një gur mbi portën e vogël. Imami u shfaq pas pak duke lidhur tyrben mbi kokën e rruar. Alekum Selam. Mirëdita, i tha ai. Dua të bëhem mysliman. Urdhëro, e ftoi imami. Je i pari që vjen sot. Të krishterët merren me tregti të dielave. U fut brenda dhe pati ftohtë. U ulën të dy përballë njëri-tjetrit mbi një rrogoz, i cili në anën e tij dukej më pak i përdorur. Xhamia ishte bosh. Dielli hynte me zor nga katër kamare të vogla, të shpërndara nga një në çdo faqe muri. Në një cep të errët mezi dukej një tenxhere e madhe dhe pranë saj bukë dhe disa kokrra ullinj. Je në shtëpinë e Zotit, i tha imami, si për t’i thënë mos u habit. A ha Zoti ullinj, qeshi ai duke u përpjekur ta ngrohte xhaminë me shaka. Imamit nuk i lëvizi asnjë muskul. Ullinjtë i ha unë. Doktorët thonë se bëjnë mirë për veshkat. Pse do të vish në Islam, e pyeti thatë imami, pa e lënë të vazhdonte udhëtimin e tij nëpër muret bosh të xhamisë. Aliu iu përgjigj se nuk kishte ndonjë shkak, por mendonte se Islami është një gjë që duhet provuar. Unë fitoj sa për t’u ushqyer, nisi të shpjegonte. Nuk kam ndonjë arsye të veçantë. Islami është feja e Perandorisë dhe unë e respektoj si një shtetas i rregullt. Nga Islami vijnë ligjet, taksat, ushtria dhe drejtësia. E këto nuk mund t’i zbatosh si duhet po nuk njohe burimin e tyre të vërtetë. Shpejt ose vonë, të gjithë do të bëhen myslimanë. Babai më ka thënë që punën e sotme mos e lër për nesër. Unë zgjohem herët në mëngjes, si kafshët që shes dhe shëroj, prandaj nuk e kam vështirë të falem në oraret që përcakton feja juaj. Njoh shumë të tjerë që do të ishin bërë myslimanë në qoftë se do të kishin regjimin e bagëtive. Sa vjeç je? Tridhjetë e nëntë i mbusha në korrik. Ka myslimanë të tjerë në fshatin tënd? Jo, tha ai, unë do të jem i pari. Njeh ndonjë mysliman tjetër? Kroi kokën dhe u kujtua. Njoh Ali Tepelenën. Ç’është ky, tha imami. Aliu është kusar. I zë pritë karvanëve dhe grabit ushqime, mallra dhe kafshë, që pastaj i shet. Kohët e fundit ka marrë një titull nga Stambolli dhe trimat e tij e thërrasin dervenxhi. Tani kontrollon rrugët dhe grykat nga kalojnë karvanët dhe i ka bërë zap gjithë kusarët e tjerë. Askush nuk vjedh dot pa lejen e tij. Para disa muajsh u fsheh në shtëpinë time se e ndiqnin ushtarët e Kurt Pashës për ta vrarë. Kuajt i sjell tek unë për t’i shëruar dhe prandaj jemi njohur. A të ka folur Aliu për Islamin? Po. Njëherë ai më tha se sikur Muhamedi të ishte shqiptar, grekët do ta kishin vrarë atë. Imami nuk lëvizi, por diçka mërmëriti. Në qoftë se Muhamedi do të ishte shqiptar, grekët do të ishin çifutë dhe çifutët nuk e vranë dot Muhamedin. Megjithatë, Muhamedi nuk mund të ishte shqiptar. Të gjithë profetët kanë lindur në shkretëtirë aty ku nuk ka ujë dhe nuk ka dimër. Ne kemi shumë ujë dhe shumë dimër. Imami futi dorën poshtë rrogozit dhe nxori një libër të verdhë me shkronja të mëdha arabe. Ky është Kurani. Është libri me porosi që Allahu i dha Muhamedit përmes të dërguarit të tij, engjëllit Xhebrail. Këtu tregohet se çfarë duhet të bëjë një mysliman. Dhe po ashtu se çfarë nuk duhet të bëjë. Mos harro se gjërat që nuk duhet të bësh, janë më të rëndësishme se ato që duhet të bësh. Kurani është libri i ndalimit dhe jo i lejimit. Ti nuk mund ta lexosh Kuranin, por unë do të të them disa gjëra, të cilat, nëse i pranon, do të të dallojnë ty nga të tjerët, nga të pafetë. Islam do të thotë paqe. Paqja mund të mbretërojë mes njerëzve nëse ata i dedikohen Allahut dhe ndjekin rregullat që ai ka përcaktuar. Këto rregulla Zoti ia tha Muhamedit që ky t’ia thoshte njerëzve. Muhamedi shkroi Kuranin, megjithëse deri 40 vjeç nuk dinte as shkrim, as këndim, njësoj si ti sot. Kjo është një nga dëshmitë se ai ishte i dërguar i Allahut, porositë e të cilit për herë të parë i erdhën rreth vitit 610 kur ai jetonte në Mekë, me gruan e tij Hatixhe. Gjatë jetës së tij Muhamedi pati shumë gra të tjera. Kur ai vdiq, në prehrin e gruas së tij më të dashur Aishes, Meka, Medina dhe shumica e Arabisë kishin pranuar Islamin. Kurani i ka njohur të gjithë profetët e tjerë përpara Muhamedit, përfshi Musain, profetin e çifutëve dhe Isain e të krishterëve. Por Muhamedi është profeti i fundit. Prandaj dhe Islami është feja e vetme e Allahut. Qëllimi i profetëve të tjerë ka qenë të paralajmëronin dhe të bënin gati botën për misionin e Muhamedit, kështu që të krishterët e kanë detyrim që të kthejnë fenë e tyre në Islam. Jezu Krishti po të ishte gjallë do t’i bashkohej fesë së Muhamedit. Imami ndaloi dhe e futi Kuranin nën rrogoz. Këto që po them duhet t’i dish sepse të krishterët e fshatit do të të prozvalin dhe do përpiqen të të poshtërojnë kur t’u thuash se je mysliman. Mos u mërzit. Të gjithë profetët janë sharë nga fshati i vet. Ti më the se do të bëhesh mysliman. Unë të pyeta pse. Më the se Islami është një gjë që duhet provuar sepse herët apo vonë të gjithë do të vijnë në Islam. Kjo është e vërtetë. Një ditë, të gjithë do të bëhen myslimanë. Por jo për arsyet që the ti. Unë do të t’i jap arsyet, ti do t’i jetosh dhe më pas do t’ia japësh të tjerëve. Islami ka pesë kushte. Nëse ti i pranon, atëherë je mysliman. I pranoj, tha ai me një frymë. Ishte ftohtë dhe drita e diellit nga kamaret e xhamisë kishte nisur të dobësohej. Duro, i tha imami. Do të t’i them një nga një. Ngrihu në këmbë. Ai u ngrit dhe pas tij u ngrit dhe imami. Gjysma e fytyrës i ndriçohej akoma nga drita e pasdites. Gjysma tjetër po kridhej gradualisht në errësirë. Islami dhe Krishterimi janë si hëna dhe dielli, mendoi ai. Të dyja kanë marrë përsipër të ndriçojnë botën, por kur njëri ikën vjen dita dhe kur ikën tjetri vjen nata. Tani jam në muzg. Dielli me hënën po ndërrojnë vendet si Krishterimi me Islamin në shpirtin tim. Deri në fund të jetës do të përpiqem të kuptoj kush është dielli dhe kush është hëna nga të dy, u zotua ai me vete dhe u përqendrua prapë tek imami, fytyra e të cilit kishte hyrë në hije. A pranon se nuk ka Zot tjetër veç Allahut dhe se Muhamedi është robi dhe i dërguari i tij? Bota është më e qetë tani që e udhëheq vetëm një Zot. Në kohën e grekëve të lashtë kishte shumë zota që bëheshin xhelozë për njëri-tjetrin dhe bota ishte lëmsh. E pranoj, tha ai. A pranon t’i falesh Allahut, pesë herë në ditë namaz? E pranoj, por ç’më ndodh nëse falem gjashtë herë? Nuk të ndodh gjë, i tha imami, por nuk duhet ta bësh. Në fillim Zoti i tha Muhamedit se myslimanët duhet të faleshin pesëdhjetë herë në ditë, por Musai, profeti i çifutëve i tha Muhamedit t’i kërkonte më pak falje sepse kjo do të ishte e lodhshme për besimtarët. Pas shumë kërkesave që bëri Muhamedi, numri i faljeve u vendos të ishte pesë. Kjo në saje të çifutëve që bëjnë tregti edhe me faljet për Zotin. Ka pasur të drejtë Musai, i tha ai. Pesëdhjetë herë në ditë do të thotë që mos bënim asgjë tjetër, por veç të faleshim. Allahu na i njeh dobësitë tona, prandaj korrigjon ndëshkimet, sqaroi imami dhe vazhdoi. A pranon të mbash ramazan? Ç’është ramazani, pyeti ai. Ramazani është muaji i nëntë i vitit. Është muaji kur Muhamedit iu shfaq për herë të parë engjëlli me porositë e Allahut. Ky është dhe muaji i agjërimit, muaji kur myslimanët i dedikohen Zotit të tyre, duke mos ngrënë, duke mos pirë dhe duke mos i prekur me dorë gratë e tyre. Ramazani përbën agjërimin kryesor, ndërsa gjatë vitit Islami ka edhe shumë lloje të tjera agjërimesh, si agjërimi i muajit të shabanit, agjërimi i gjashtë ditëve të muajit sherval, që është muaji që vjen pas ramazanit, agjërimi i ditës së ashures, agjërimi i xhumasë, i ditës së premte etj. këto do t’i mësosh me kohë dhe unë do të të kujtoj herë pas here, por mos harro se agjërimi i ramazanit është kusht për ty si për çdo mysliman tjetër. Gjatë ramazanit as duhet të shash, as të bërtasësh, as të zihesh, as të shpifësh apo të theshmosesh. Nëse të godasin, mos u kthe dorë dhe thuaju se je në agjërim. Agjërimi është shkëputja e njeriut nga kërkesat e trupit, nga stomaku dhe epshet që ndjellin gratë. Ramazanin do ta nisësh pas disa ditësh, sapo të shikosh hënën e re të muajit shtator. Po në qoftë se ka re si ta dalloj hënën, pyeti ai. Asnjë re nuk mund të ndalojë takimin e një myslimani me Zotin e vet, u përgjigj imami. Të krishterët hanë diçka kur agjërojnë, pyeti prapë ai. Si mund të duroj një muaj pa ngrënë? Të krishterët agjërojnë 40 ditë rresht përpara Pashkës dhe po ashtu gjatë vitit kanë agjërime të tjera. Megjithatë, ti mund të hash dy herë në ditë. Do hash diçka të ëmbël, mundësisht hurma me ujë kur perëndon dielli, dhe ky është iftari. Pastaj do falësh namazin e mbrëmjes. Ndërsa në mëngjes, kur fillon agimi, gjithnjë përpara namazit të parë, mund të fusësh një kafshatë në gojë dhe ky është syfyri. Agjërimi është sakrifica më e madhe që një mysliman bën për të respektuar Zotin e vet. Kur agjëron, ti i thua Allahut se nuk ke ardhur në jetë vetëm për të mbushur stomakun tënd me mish kafshe dhe për të fryrë barkun e sat shoqeje me mish njeriu. Po lopët, viçat, delet dhe qengjat e mi a duhet t’i detyroj të mbajnë ramazan, tha ai pafajësisht. Imami bëri një ngërdheshje si i bezdisur e megjithatë vazhdoi. Agjërimi është një sakrificë e ndërgjegjshme. Ty nuk të kontrollon kush nëse ha, nëse pi apo nëse kënaq gruan tënde. Gjatë agjërimit je përballë Zotit dhe ndërgjegjes tënde. Kafsha ka shpirt, por nuk ka ndërgjegje, prandaj vetësakrifikimi i saj nuk parashikohet në Kuran. As Muhamedi nuk e detyronte devenë e tij, Kasun që të agjëronte. Kafshët e tua nuk do të bëhen myslimane sepse edhe para kësaj dite nuk janë të krishtera, shtoi imami. E pranoj, tha ai. E pranoj ramazanin. Kur t’i them gruas se është një kusht ajo do të më kuptojë, kurse kafshët e mia nuk do kuptojnë asgjë dhe do vazhdojnë të më duan njëlloj. Vazhdojmë, nxitoi imami duke parë diellin që fshihej pas dritareve. Pas pak duhet të jap ezanin. Kushti i katërt i islamit është dhënia e zekatit. Zekat do të thotë që t’u japësh të varfërve ushqim, rroba dhe t’i ndihmosh. Zekati nuk është lëmoshë, por është ndarje pasurie. Muhamedi mendonte se i varfri ka të drejtë të përfitojë nga pasuria e të kamurit. Zakonisht zekati shpërndahet pas sakrificës, pas agjërimit, pra në fund të ramazanit. Mund të japësh edhe para. Ai u mendua një copë herë dhe tha: Në fshat ka shumë të varfër. Nëse unë u jap të gjithëve zekat ç’më mbetet për vete? Ramazani më duket më i arsyeshëm se të detyron të kursesh, kurse zekati paska shumë harxhe. Po a nuk do varfërohem unë një ditë duke i falur vazhdimisht të tjerëve pjesë nga pasuria ime? Atëherë ti do të jetosh duke u ushqyer nga zekati që do të shpërndajnë të tjerët, u përgjigj imami. Ky është Islami. Jep pasuri që të marrësh paqe. A e pranon këtë kusht? Imami po humbte durimin. Atij iu duk se, sikur të rezistonte dhe pak imami do ta nxirrte jashtë duke mos e përzgjedhur si mysliman. Megjithatë, vendosi të bëjë edhe një përpjekje. Përmbushja e këtij kushti, siç ia kishte përshkruar imami, nuk e bindte. Si mund të falte nga një dele, apo një viç në fund të çdo agjërimi? Ti më the se që të bëhem mysliman duhet të plotësoj kushtet e Islamit, guxoi ai të pyeste imamin. Po, i tha imami, ashtu është. Që unë të bëhem mysliman duhet të jap zekat, apo jo? po, tha imami i çuditur nga ngulmimi. Po ai që përfiton zekat a duhet të jetë mysliman? Besoj se po, u përgjigj imami i hutuar. Në fshat unë jam myslimani i vetëm dhe nuk e di sa kohë do të vazhdojë të jetë kështu. Të gjithë të varfrit e fshatit janë të krishterë. A duhet t’i fal pasurinë që Allahu ma dha mua atyre që nuk i falen Allahut? Imami nuk foli, pro instinktivisht vuri dorën mbi Kuranin e mbuluar me rrogoz. A duhet të përfitojnë zekat të krishterët, këtë dua të them, përfundoi ai kur kuptoi se kishte fituar superioritet logjik që në ditën e parë të abetares islame. Këtë nuk e di, i tha imami që u ndie keq. Ndoshta duhet të presësh derisa në fshat të vijnë myslimanët e tjerë. E pranoj, shpejtoi ai. Pranoj se do filloj të jap zekat ditën që në fshat një i varfër do të bëhet mysliman. E pranoj kushtin. Ka akoma? Edhe një, u çlirua imami. Duhet të shkosh të paktën një herë në jetë në Mekë dhe të rrotullohesh shtatë herë rreth gurit të Qabesë. Sa larg është Meka, pyeti ai. Meka është në Arabi, tha imami. Ky udhëtim zgjat një muaj, duke kaluar nëpër Stamboll. Çdo mysliman duhet të shkojë një herë atje, në Gurin e Qabesë, që është vend i shenjtë për myslimanët. Ai gur është adhuruar që në kohët e lashta, por Muhamedi e ktheu atë në kërthizën e botës islame. Muhamedi u përzu nga Meka prej çifutëve dhe arabëve paganë dhe atij iu deshën disa luftëra, në të cilat u derdh gjak myslimani, për t’u rikthyer në mekë me kokë të rruar siç duhet të bësh edhe ti kur të shkosh. Kur duhet të nisem? Këtë e vendos ti, tha imami. Para se të vdesësh duhet të shkosh. E pranoj, u qetësua ai. Paskam edhe tridhjetë vjet kohë për të shkuar. Pas kushtit të pestë ndihej më i sigurt. Xhamia ishte pothuajse e errët dhe jashtë zhurmat e qytetit ishin dobësuar. Ai i kishte pranuar të pesë kushtet dhe po priste që imami ta shpallte vendimin e tij. Ka dhe diçka tjetër, u kujtua imami. Çfarë, u acarua ai. Më the se ishin pesë kushte për t’u bërë mysliman dhe unë i pranova. Imami dukej i lehtësuar, si një mami. Sot është dita e parë e lindjes së një myslimani dhe ti duhet të kesh një emër që mund ta zgjedhësh vetë. Nuk ka rëndësi, tha ai. Më thirr si të duash ti imam. Ibrahim, tha imami. Do quhesh Ibrahim. Ibrahimi nuk ka qenë as i krishterë, as çifut dhe as mysliman. Ai është një nga profetët e mëdhenj që Zoti i mësoi të parashikonte të ardhmen. Në kohën e Ibrahimit, njerëzit jetonin më shumë se sot. Ibrahimi rrjedh nga fara e Noes dhe ky rrjedh nga Ademi, që ishte njeriu i parë që Zoti krijoi mbi dhe nga dheu. Nga një brinjë e Ademit Zoti krijoi Havanë që është gruaja e parë në këtë botë. Ademi dhe Havaja patën në fillim dy djem Kainin dhe Abelin. Kaini e vrau Abelin dhe kjo është vrasja e parë e njeriut nga njeriu. Më vonë pema e Kainit u shua nga mëkati i tmerrshëm i vëllavrasjes. Ademi dhe Havaja patën një djalë të tretë Sethin, nga trungu i të cilit buron gjithë njerëzimi. Ibrahimi është degë e këtij trungu. Nga fara e Ibrahimit rrjedhin myslimanët, çifutët dhe të krishterët. Kurani thotë se Ibrahimi pati një fëmijë me skllaven e tij Hagar dhe ky fëmijë u quajt Ismail, që do të thotë i egër dhe fortë. Mirëpo gruaja e tij Sara, që më vonë lindi Isakun, që i dha farë Moisit të çifutëve dhe Jezuit të kaurëve, e zboi skllaven me gjithë Ismailin dhe këta jetuan në shkretëtirë. Ismaili u rrit si njeri i egër në mes të rërës dhe urisë. Dikur, Ibrahimi shkoi në shkretëtirë, takoi të birin dhe të dy ngritën Gurin e Qabesë ku u themelua Meka, vendi ku lindi Muhamedi. Sot, ne myslimanët jemi pasues të kësaj fare. Historinë e Ibrahimit e njohin edhe të krishterët nga Bibla. Ata i thonë Ademit, Adam, Havasë, Eva dhe Ibrahimit, Abraham. Më pëlqen, tha ai. Bukur, tha imami. Mirë se erdhe në islam, Ibrahim i Abdullahut. Çfarë është Abdullahu, u nxi ai. Pranova emrin tim të ri, por im atë ka vdekur dhe unë nuk mund t’ia ndërroj emrin pas vdekjes, ndjesë pastë. Abdullah do të thotë rob i Zotit dhe ky mbiemër i jepet gjithë myslimanëve të rinj si ti, baballarët e të cilëve kanë mbiemra të krishterë që Islami nuk i pranon. Jo, tha Ibrahimi duke e parë imamin në sy. Pranova emrin tim të ri, por mbiemrin nuk e ndërroj. Abdullah duket si budalla dhe nuk mund t’ia lë peshqesh këtë tallje fëmijëve të mi. Nuk e pranoj sikur ta di se kthehem i krishterë siç isha sot në mëngjes. Imami buzëqeshi, por nuk këmbënguli. Iu afrua dhe e puthi në të dy faqet. Paqja qoftë me ty Ibrahim. Shpresoj të jesh një mysliman i mirë. Do përpiqem, tha Ibrahimi dhe u drejtua nga dera e xhamisë. Pa kapërcyer pragun, imami e thirri nga errësira: Ibrahim, ti mund të marrësh deri në katër gra sepse kjo i lejohet çdo myslimani. Është një kusht, pyeti Ibrahimi pa u kthyer. Nuk është kusht, por në qoftë se ty të pëlqejnë gratë Islami ta lejon. Do mendohem, tha Ibrahimi duke dalë. Natën e mirë imam. Mirupafshim, tha imami. Mos harro të bëhesh synet Ibrahim. Kishte dalë nga xhamia. Nata ishte e gjitha përpara tij.

Pagine

Djali qe pervidhej nga dritarja dhe me hynte ne shtrat - Kristy Moseley - pdf,

Djali qe pervidhej nga dritarja dhe me hynte ne shtrat kap 1 - Kristy Moseley - pdf, Djali qe pervidhej nga dritarja dhe me hynte ne shtrat ...

 
Top