Kongresi i Dibrës nuk e ndryshoi vendimin e marrë qysh më parë nga rrethet atdhetare për të mbledhur një kongres kombëtar në Elbasan, i cili do të shqyrtonte në mënyrë të veçantë problemin e shkollës shqipe që ishte bërë objekt i sulmeve të xhonturqve,
përgatitjen e mësuesve, organizimin në shkallë kombëtare të rrjetit të shkollave shqipe, drejtimin e përqendruar të tyre nga një institucion kombëtar dhe sigurimin e mjeteve financiare për mbajtjen e tyre. Thirrja e tij bëhej e domosdoshme edhe për shkak të rritjes së rrjetit të shkollave shqipe pas Kongresit të Manastirit.
Pak kohë para thirrjes së Kongresit (më 3 korrik 1909), Ministria e Arsimit e Turqisë, nën trysninë e kërkesave këmbëngulëse të shqiptarëve, u detyrua të njoftonte vilajetet që të përfshinin në programin mësimor të shkollave shtetërore, qytetëse (ruzhdie) dhe në gjimnazet (idadie), mësimin e gjuhës së vendit (shqipe) dhe që mësuesit e kësaj gjuhe të paguheshin nga buxheti i shtetit. Kjo ishte një rethanë që favorizonte punimet e Kongresit të Elbasanit për çështjet e arsimit shqiptar.
Kongresi u thirr me nismën e klubit shqiptar të Selanikut, i cili, qysh në fund të marsit njoftoi për këtë klubet e shoqëritë shqiptare, ndërsa me përgatitjen e tij të drejtpërdrejtë u morën klubet “Bashkimi” e “Vllaznia” të Elbasanit, që u shpërndanë ftesat klubeve dhe shoqërive shqiptare brenda e jashtë vendit.
Kongresi i Elbasanit u hap më 2 shtator të vitit 1908 dhe i vijoi punimet deri më 8 shtator. Në të morën pjesë 35 delegatë, përfaqësues të klubeve dhe të shoqërive shqiptare të qyteteve të tilla të Shqipërisë, si Tirana, Durrësi, Dibra, Shkupi, Manastiri, Gjirokastra, Korça, Berati, Leskoviku, Përmeti, Ohri, Struga, Pogradeci, Janina, Filati, krahinat e Gramshit, të Skraparit etj. Nuk mundën të dërgonin delegatët e tyre Vlora, për shkak të terrorit të xhonturqve mbi atdhetarët e këtij qyteti, Shkodra, për arsye të veprimtarisë së reaksionit xhonturk, të përkrahur nga klerikët konservatorë dhe elementët fanatikë turkomanë, si edhe vilajeti i Kosovës, po për shkak të pengesave që nxorën klerikët dhe paria konservatore e fanatike, që përkrahte alfabetin arab. Megjithatë, klubi i Shkupit ngarkoi si përfaqësues të vetin Mithat Frashërin, ndërsa atdhetarët shkodranë njoftuan në mënyrë paraprake se do t’i njihnin vendimet e këtij Kongresi. Po ashtu nuk u përfaqësuan edhe shoqëritë atdhetare të mërgimit.
Midis delegatëve të Kongresit kishte veprimtarë të njohur të lëvizjes kombëtare, si edhe mësues atdhetarë, siç ishin Orhan Pojani, Grigor Cilka, Gjergj e Sevasti Qiriazi, Mithat Frashëri, Dervish bej Biçaku, Ahmet Dakli, Refik Toptani, Hafiz Ibrahim Dalliu, Thoma Papapano, Hamdi Ohri, Nikollë Kaçori, Josif Haxhi Mima, Simon Shuteriqi, Dhimitër Buda, Abdullah Rushit Ahmeti (Struga), Abdulla Koprëncka, Kristo Dako, Emin Haxhi Ademi, Selman Blloshmi, Andrea Konomi, Idhomenë Kosturi etj.
Punimet e Kongresit u drejtuan nga një kryesi e zgjedhur nga delegatët dhe e përbërë nga Dervish bej Biçaku (kryetar), Mithat Frashëri (nënkryetar) dhe Simon Shuteriqi e Josif Haxhi Mima (sekretarë). Ashtu siç ishte parashikuar, në Kongres u shqyrtuan tri çështje themelore: çelja e një shkolle normale dhe masat e nevojshme për të; krijimi i një qendre të vetme për drejtimin, për organizimin dhe për financimin e shkollave shqipe; masat për bashkërendimin e veprimtarisë së klubeve shqiptare.
Akti themelor i Kongresit të Elbasanit ishin Vendimet ose, siç u quajt ndryshe, Rezoluta prej 15 nenesh, që u miratua dhe u nënshkrua nga gjithë delegatët. Një nga masat më të rëndësishme të kësaj Rezolute ishte çelja në Elbasan në vjeshtën e atij viti e një Shkolle Normale (pedagogjike), me gjashtë klasa, e cila do të përgatiste mësues për shkollat fillore shqipe. Shkolla pedagogjike do të mbahej me kontributin e të gjitha klubeve dhe shoqërive shqiptare. Në Kongres u miratua edhe një rregullore e veçantë e Shkollës Normale, e përpunuar nga një komision i posaçëm. Për t’i vënë shkollat shqipe nën një drejtim unik e të përqendruar në shkallë kombëtare, Kongresi vendosi që të krijohej në Korçë Shoqëria qendrore shkollore “Përparimi”.
Sipas statutit të saj të veçantë ajo do të quhej Shoqëria e mësonjëtoreve shqipe “Përparimi” dhe do të kishte për detyrë të kujdesej për mbajtjen e administrimin e Shkollës Normale të Elbasanit, për hapjen e shkollave të tjera shqipe dhe për botimin e librave të nevojshëm. Pranë shoqërisë krijohej edhe një arkë e përgjithshme, që do të plotësohej me kontributin e klubeve, të shoqërive dhe të atdhetarëve të veçantë. Me qëllim që Shoqëria “Përparimi” të ushtronte lirisht dhe pa pengesa veprimtarinë e saj, Kongresi kërkoi që ajo të njihej zyrtarisht si “person juridik” nga qeveria turke; u hartua një rregullore e veçantë e kësaj shoqërie, e cila do t’i paraqitej gjithashtu për miratim qeverisë. Shoqëria duhej të kërkonte ndihmën financiare të shtetit turk.
Kongresi ngarkoi “të gjitha klubet dhe shoqëritë, si edhe çdo shqiptar, të përpiqeshin të vinin gjuhën shqipe në të gjitha shkollat e vendit”. Në mënyrë të veçantë u ngarkua klubi qendror (i Manastirit) që të “nxirrte lejen që gjuha shqipe të hynte zyrtarisht në të gjitha shkollat e Shqipërisë”, ndërsa me pikën 8 të Vendimeve, Kongresi i Elbasanit ngarkonte klubin qendror që sa më parë të “kërkonte futjen e gjuhës shqipe si gjuhë mësimi në të gjitha shkollat shtetërore fillore dhe qytetëse (ruzhdie)”. Përmbushja e këtyre kërkesave do të shënonte një hap të rëndësishëm në shndërrimin e të gjitha shkollave të huaja (turke ose në gjuhë të tjera) në shkolla shqipe dhe për themelimin e një sistemi kombëtar shkollor në Shqipëri. Kongresi ngarkonte gjithë atdhetarët shqiptarë që të kërkonin nga këshillat e vilajeteve hapjen e shkollave bujqësore, aq të nevojshme për popullsinë e zonave bujqësore të vendit.
Në Kongres u diskutuan gjithashtu disa çështje organizative dhe politike. Për të forcuar bashkëpunimin, lidhjet organizative dhe bashkërendimin e veprimeve ndërmjet të gjitha klubeve e shoqërive, u vendos që të gjitha klubet e shoqëritë shqiptare të drejtoheshin nga një klub qendror. Në pajtim me këtë Kongresi zgjodhi si klub qendror (për dy vjet) klubin e Manastirit, i cili qëndronte në krye të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Për të bashkërenduar dhe për të organizuar më mirë e në përmasa kombëtare veprimtarinë politiko-kulturore të klubeve dhe të shoqërive shqiptare, u miratua një Rregullore e përgjithshme e klubeve dhe e shoqërive shqiptare, ku përcaktoheshin detyrat e tyre dhe format e lidhjeve e të bashkëpunimit ndërmjet tyre.
Në mbledhjet e mbyllura e të shpeshta në Kongres delegatët shprehën mosbesimin ndaj regjimit xhonturk dhe Komitetit Qendror “Bashkim e Përparim”, të cilët në shumë qytete të Shqipërisë, si në Strugë, në Tiranë, në Gjirokastër, në Filat etj., nxitnin komitetet lokale që t’u kundërviheshin aspiratave kombëtare të shqiptarëve. Në emër të delegatëve të Kongresit iu dërgua kryeministrit turk një telegram, në të cilin protestohej kundër dhunës mbi atdhetarët shqiptarë në Vlorë e në qendra të tjera dhe kërkohej lirimi i bejlerëve atdhetarë të arrestuar. Po në këto mbledhje delegatët u shprehën për një organizim më të mirë të komiteteve të fshehta dhe për forcimin e lidhjeve ndërmjet tyre.
Në Kongres u shfaq mendimi se, në kushtet kur xhonturqit nuk pranonin t’i njihnin popullit shqiptar të drejtat më elementare kombëtare e njerëzore për t’u çliruar njëherë e përgjithmonë nga arbitrariteti e zgjedha e turqve të rinj, shqiptarët duhej të organizonin luftën e armatosur për të siguruar autonominë e Shqipërisë dhe për këtë qëllim populli shqiptar duhej të bashkëpunonte me popujt e tjerë të shtypur të Turqisë Evropiane, me maqedonët, vllehët etj., që luftonin gjithashtu për çlirimin e tyre kombëtar.
Kongresi dënoi ndërhyrjet e fuqive të huaja në Shqipëri që ishin forcuar në fillim të shek. XX, e veçanërisht pas aneksimit të Bosnjës dhe të Hercegovinës nga Austro-Hungaria. Në këtë Kongres u vendos gjithashtu që pas tri vjetësh, më 1912, të mbahej po në Elbasan një kuvend tjetër, që do të shqyrtonte “nevojat e Shqipërisë”, programin e të cilit do ta përgatisnin shoqëritë e këtij qyteti.
Kongresi i Elbasanit i dha një shtytje të re lëvizjes për shkollën dhe për arsimin kombëtar në përgjithësi. Të mbështetur në vendimet e tij, atdhetarët shqiptarë ngritën në Korçë, më 20 shtator 1909, Shoqërinë qendrore shkollore “Përparimi”, në kryesinë e së cilës u zgjodhën atdhetarët e njohur Orhan Pojani (kryetar), Stavri Karoli, Idhomenë Kosturi e Mihal Gramenoja.
Me qëllim që Shoqëria “Përparimi” të ushtronte ligjërisht të gjitha kompetencat e saj si një institucion qendror e drejtues i arsimit kombëtar, kryetari i saj Orhan Pojani, duke pasur mbështetjen e deputetëve atdhetarë shqiptarë të parlamentit, bëri përçapje pranë Këshillit të Shtetit në Stamboll për të siguruar njohjen e saj zyrtare si person juridik. Megjithëse kjo kërkesë u kundërshtua nga qeveria turke, Shoqëria “Përparimi” u kthye në të vërtetë në një organizatë arsimore kombëtare dhe dha një ndihmë të çmuar për organizimin e drejtimin e arsimit shqiptar. Ajo dha një ndihmesë të veçantë për sigurimin e fondeve të nevojshme financiare për Shkollën Normale të Elbasanit dhe për shkollat e tjera shqipe. Duke iu përgjigjur thirrjes që shpërndau për këtë qëllim brenda e jashtë Shqipërisë, dhjetëra klube dhe shoqëri atdhetare të vendit, organet e shtypit shqiptar, shoqëritë e kolonive të mërgimit dhe qindra atdhetarë derdhën në arkën e saj shuma të mëdha të hollash. Brenda një kohe të shkurtër u mblodhën për nevojat e Shkollës Normale dhe të shkollave të tjera 1 000 lira turke. Në mënyrë të veçantë rreth 340 atdhetarë dhanë ndihmën e tyre në të holla.
Më 1 dhjetor 1909 u çel në Elbasan Shkolla Normale (pedagogjike), që ishte shkolla e parë e mesme kombëtare shqipe. Mësuesit e saj të parë ishin atdhetarë të njohur dhe njerëz të shquar në lëmin e kulturës, si Aleksandër Xhuvani (i diplomuar në Greqi për filologji, i dalluar në fushën e letërsisë), Sotir Peci (i diplomuar gjithashtu në Greqi për matematikë-fizikë, drejtor i gazetës “Kombi”) etj. Drejtor i parë i saj u caktua Luigj Gurakuqi?, i cili vuri të gjitha forcat dhe aftësitë e tij në shërbim të arsimit kombëtar. Në Shkollën Normale jepnin gjithashtu mësim Petër Dodbiba, Simon Shuteriqi, Hasan Mejza dhe Hafiz Ibrahim Dalliu.
Shkolla Normale kishte gjashtë klasa, me një plan mësimor prej 30 lëndësh, humanitare, të shkencave të natyrës etj. Ajo dallohej për karakterin e saj kombëtar, që përcaktohej nga përmbajtja e lëndëve dhe nga fakti se pranonte nxënës të të gjitha besimeve fetare, myslimanë e të krishterë. Atdhetarët bashkëkohës e çmonin atë si një vatër të formimit atdhetar të brezit të ri.
Qysh në vitin e parë të themelimit të saj (1909-1910) Shkolla Normale e Elbasanit pati 160 nxënës të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë. Disa prej tyre, rreth 50 nxënës, kishin ardhur nga Kosova, Rrafshi i Dukagjinit e Dibra, të dërguar nga klubet shqiptare, si ai i Shkupit, i Dibrës etj. dhe me kujdesin e veçantë të atdhetarëve Hasan Prishtina, Bajram Curri, Nexhip Draga etj.
Shkolla shqipe u hapën në këtë periudhë pas Kongresit të Elbasanit edhe në vende të tjera të Shqipërisë. Në fund të shtatorit u bë në Korçë përurimi i shkollës së riorganizuar të djemve (i mësonjëtores së parë shqipe të vitit 1887), çelur qysh në pranverën e vitit 1909, e cila ishte një nga shkollat më të plota me pesë klasa dhe pesë mësues. Në tetor u hapën shkolla shqipe në Progër, në Cukaj të Martaneshit, në Verlen të Bilishtit, në Margëllëç, ndërsa në muajin dhjetor u çel shkolla shqipe në Negovan (nën drejtimin e Petro Nini Luarasit) dhe në fshatin Koshtan të Tepelenës.
Me përpjekjet e Klubit Arsimor të Shkupit, të Hasan Prishtinës e të atdhetarëve të tjerë kosovarë, në vjeshtën e vitit 1909 u hapën shkolla shqipe në vilajetin e Kosovës, në Moravë, në Gjilan dhe në fshatin Pozharan, ku mësonin edhe fëmijët e katundeve përreth. Shkolla shqipe kanë qenë ngritur në këtë kohë edhe në Prizren, në Gjakovë, në Pejë dhe në Vuçiternë. Në janar të vitit 1910 klubi i Shkupit ngriti një shkollë private shqipe në këtë qytet, ndërsa në shkurt u hap shkolla shqipe në Mitrovicë.
Në mars-prill të vitit 1910 u çelën shkolla shqipe në Mesare të Leskovikut, në Labovën e Poshtme (nga klubi “Drita” i Gjirokastrës), në fshatra të Çamërisë, si në Ninat, Konispol, Koskë, Janjar, Konicë, Mazarek etj. Në verën e atij viti u hapën shkolla shqipe në Tepelenë, në Tiranë, në Vlorë, në Zerqan, në Kaninë, në Leskovik etj. U bënë përçapje për ngritjen e shkollave të tjera shqipe pothuajse në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Në fillim të vitit 1910 klubi i Dibrës mori nismën për hapjen e një numri të madh shkollash shqipe në këtë rreth.
Gjatë vitit shkollor 1909-1910, përveç qyteteve të tjera, gjuha shqipe u fut edhe në gjimnazet turke të Elbasanit, të Vlorës, të Beratit dhe të Shkupit (ku jepte mësim Bedri Pejani). Shqipja filloi të mësohej gjithashtu në shkollën “Edep” të Shkupit, që mbahej nga klubi “Rinia patriotike” (“Shubani vatan”) të këtij qyteti. Sipas të dhënave të shtypit shqiptar të kohës, në vjeshtën e vitit 1909 gjuha shqipe ishte futur si lëndë pothuajse në të gjitha gjimnazet (idadijet) turke të Shqipërisë dhe në shumë shkolla qytetëse (ruzhdie). Meqë Ministria e Arsimit, qysh në korrikun e vitit 1909, kishte lejuar mësimin e gjuhëve të vendit në gjimnazet turke, mësuesit e gjuhës shqipe në këto shkolla u emëruan nga organet e saj.
Por këto shkolla ndiqeshin nga një numër i kufizuar nxënësish, prandaj atdhetarët shqiptarë vijuan të kërkonin që gjuha shqipe të mësohej në të gjitha shkollat fillore të vendit, rrjeti i të cilave ishte më i gjerë. Në fundin e vitit shkollor 1909-1910 mësimi i shqipes u fut edhe në shkollën qytetëse të Prevezës, në atë të Lurosit, në shkollat fillore turke të Kolonjës, të Oparit, të Devollit, të Përmetit, të Elbasanit dhe të disa qendrave të Kosovës. Në fillim të vitit 1910 përfaqësues të popullsisë së Ohrit kërkuan nga parlamenti që gjuha shqipe të mësohej në të gjitha shkollat shtetërore të kësaj prefekture.

Me gjithë pengesat e shovinistëve grekë, atdhetarët shqiptarë gjatë vitit 1910 arritën të fusnin mësimin e shqipes edhe në shkollat e tjera greke, si në ato të Elbasanit, të Beratit, të Kavajës dhe të Labovës së Poshtme. Por përhapja e mëtejshme e shkollave dhe e shkrimit shqip u pengua për shkak të shpërthimit të reaksionit xhonturk kundër kulturës dhe Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në përgjithësi. 

Pagine

Djali qe pervidhej nga dritarja dhe me hynte ne shtrat - Kristy Moseley - pdf,

Djali qe pervidhej nga dritarja dhe me hynte ne shtrat kap 1 - Kristy Moseley - pdf, Djali qe pervidhej nga dritarja dhe me hynte ne shtrat ...

 
Top